Skandal – A ka qumësht në djathin që blejmë apo gjithçka është artificiale?

News

SKANDAL NË TREGUN E QUMËSHTIT: Djathi me 20% yndyrë qumështi rezulton me vetëm 1%, qytetarët kërkojnë emrat e kompanive

Një zbulim alarmant nga kontrollet e jashtëzakonshme të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Maqedoninë e Veriut ka ngritur pikëpyetje serioze për cilësinë e produkteve të qumështit që shiten në treg. Analizat laboratorike kanë treguar se një djathë i deklaruar me 20 për qind yndyrë qumështi përmbante vetëm 1 për qind, ndërsa operatori përgjegjës është gjobitur me 3.500 euro.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, pasi institucionet ende nuk kanë bërë të ditur nëse bëhet fjalë për një produkt vendas apo të importuar.

Nga Organizata e Konsumatorëve të Maqedonisë kërkojnë publikimin e emrit të prodhuesit ose importuesit dhe vendosjen e sanksioneve më të ashpra, duke vlerësuar se bëhet fjalë për mashtrim ndaj konsumatorëve.

“Deklarata është kartë identiteti e produktit. Nëse në etiketë shkruan 20 apo 25 për qind yndyrë qumështi, atëherë produkti duhet ta përmbajë realisht atë sasi. Konsumatorët kanë të drejtë të dinë kush qëndron pas këtyre produkteve”, deklaroi kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve, Marijana Lonçar Velkova.

Ajo theksoi se përdorimi i vajit të palmës si zëvendësim për yndyrën e qumështit duhet të deklarohet qartë në etiketë, ndërsa paralajmëroi se cilësia e produkteve po bie, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten.

Kontrollet e AUV-së përfshinë 45 mostra të qumështit dhe produkteve të qumështit, ndërsa në 10 prej tyre u konstatuan mospërputhje mes përbërjes reale dhe asaj të deklaruar. Përveç rastit të djathit, edhe tetë prodhues ose importues të tjerë janë ndëshkuar për dallime në përqindjen e yndyrës së qumështit.

Në një rast tjetër, inspektorët zbuluan përdorimin e yndyrave të palmës në një produkt qumështi. Produkti u tërhoq menjëherë nga tregu dhe u asgjësua.

AUV ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, ndërsa së shpejti do të publikohen edhe rezultatet e analizave për produktet e mishit të përpunuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *