Masa popullore “Moj DDV” nuk do të shfuqizohet. Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në një konferencë për shtyp në Shkup konfirmoi se qytetarët do të vazhdojnë të marrin rimbursim prej 15% të TVSH-së së paguar për faturat e skanuara. Kjo deklaratë vjen pas spekulimeve se masa mund të shfuqizohej për shkak të kostove të larta dhe rezultateve të dobëta në luftën kundër ekonomisë gri, përcjell INA.
Dilemat u shfaqën pasi pagesa e rimbursimeve u vonua në fund të vitit të kaluar. Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) e arsyetoi këtë me probleme teknike. Për më tepër, drejtoresha e DAP-it, Elena Petrova, paralajmëroi se projekti është i kushtueshëm për buxhetin dhe nuk e ka përmbushur qëllimin e tij kryesor – uljen e ekonomisë gri.
“Nuk mund të them se do të ketë çfarëdo ndryshimesh. Përkundrazi, gjithçka mbetet si më parë”, deklaroi Dimitrieska-Koçoska, duke theksuar se tema nuk ka qenë objekt diskutimi në Qeveri. Ajo shtoi se masa vazhdon të funksionojë si më parë, pa ndryshime të paralajmëruara.
Sipas Petrovës, për vitin 2025 janë ndarë rreth 14,5 milionë euro për rimbursimin e TVSH-së për rreth 502.000 përdorues në Maqedoni. Kjo përfaqëson afërsisht 4% të arkëtimit vjetor të TVSH-së ose gjysmën e të ardhurave mujore nga TVSH-ja. Kjo shumë rritet çdo vit, pasi rritet numri i përdoruesve dhe arkëtimi i të ardhurave.
Masa u prezantua në vitin 2019 me qëllim uljen e ekonomisë gri përmes rolit aktiv të qytetarëve si “inspektorë tatimorë”. Megjithatë, sipas Petrovës, efektet janë të dobëta:
“Gjendja në terren dhe të dhënat e brendshme çojnë qartë në përfundimin se masa nuk ka dhënë efektin e dëshiruar”, tha ajo në një intervistë për TV Telma.
Edhe pse nuk ka vendim për shfuqizim, Petrova thekson se duhet të diskutohet për efikasitetin e masës: “Kur shpenzohen mjete publike, duhet të analizohet nëse masa jep rezultatet për të cilat është vendosur”, përfundoi ajo.(INA)