Ambasadori ukrainas në Serbi: Mirënjohës Kosovës, por qëndrimi i Ukrainës s’ka ndryshuar

news
Advertisement

Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka thënë se Ukraina i është mirënjohëse Kosovës për ndihmën që i ka dhënë, por ka shtuar se qëndrimi i saj për Kosovën nuk ka ndryshuar.
Tolkach duke folur për televizionin publik, ka thënë se Ukraina ka qëndrim parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti.

Advertisement

“Ne kemi qenë gjithmonë të qëndrueshëm në politikën e jashtme dhe gjithmonë kemi mbështetur çdo vend brenda kufijve që njihen ndërkombëtarisht”, tha Tolkach. “Nga ana tjetër, Ukraina së bashku me vendet e tjera evropiane u përpoqën të ndalonin luftërat e përgjakshme në Ballkan, siç ishte ajo e vitit 1999, por përpjekjet tona nuk mjaftuan. Prandaj sot jemi mirënjohës për mbështetjen që Kosova i jep Ukrainës, por në të njëjtën kohë ritheksojmë qëndrimin tonë parimor se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti. Në të njëjtën kohë, kush mund të jetë në të vërtetë mosmirënjohës për ndihmën që vjen nga çdo anë në formën e dhembshurisë, humanizmit, për çdo ndihmë të dhënë, çfarëdo vendi, territori apo pjesë që mund të jetë”.

Ukraina ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Të shtunën deputeti ukrainas Oleksyi Goncharenko ka njoftuar se ka dorëzuar në Parlamentin e Ukrainës një rezolutë për njohjen e Kosovës. Disa orë më vonë ai në “Euronews Albania” ka treguar se ka marrë kërcënime nga serbët nëpërmjet rrjeteve sociale.

Tolkach për televizionin publik ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë kompromis nëpërmjet dialogut.
“Nga pozita e Ukrainës, ne kemi ndjekur rrugën e kompromisit duke mbrojtur vendin tonë për 23 vjet, por siç e shihni, ne nuk kemi mundur t’i shmangemi kësaj lufte të përgjakshme”, tha ai, duke tërhequr paralele mes marrëdhënieve të vendit të tij dhe Rusisë me ato mes Kosovës e Serbisë. “Dhe sa i përket kompromisit, unë nuk e di nëse mund të arrihet, por nga ana tjetër duhet kërkuar një kompromis deri në momentin e fundit. Kushdo që harron se jeta njerëzore është pasuria më e madhe, herët a vonë do të vuajë sepse ne shohim se çfarë po ndodh në Ukrainë dhe nuk do të ishte mirë që diçka e tillë të përsëritej”.

Ambasadori është i bindur se vetëm vlerat evropiane dhe afrimi me BE-në, e mbrojnë rajonin nga ndikimi i rrezikshëm rus, duke shtuar se Rusia dëshiron ta shkatërrojë Ukrainën.
“Sot kur mbrojmë territorin e Ukrainës, nuk po mbrojmë vetëm vendin tonë, por gjithë Evropën dhe vlerat që ajo sjell. “Prej tetë vitesh në Ukrainë është bërë një luftë pikërisht për vendin tonë, për sovranitetin dhe integritetin”, tha ambasadori. “Ajo që bëri Putin në Ukrainë e vuri në pikëpyetje ekzistencën e shtetit tonë dhe neve si komb”.

Duke iu referuar çështjes së sanksioneve që BE-ja dhe Perëndimi po kërkojnë nga Serbia që t’i vendosë Rusisë, Tolkach thotë se do të ishte mirë që Serbia të mbrojë vlerat evropiane së bashku me Ukrainën.
“Ukraina dhe Serbia kanë një qëllim të përbashkët, që është integrimi në BE”, tha ai. “Nuk mund të pres dhe të insistoj që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por do të ishim mirënjohës nëse qeveria e re e Serbisë do të shkonte me ne në rrugën që kemi zgjedhur bashkërisht, rruga e BE-së. Ne sapo jemi bërë kandidate për anëtarësim në BE, Serbia ka kohë që është kandidate, dhe do të ishte shumë mirë ta mbronim atë rrugë me përpjekje dhe përpjekje të përbashkëta”.

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.