Tmerr në plazhet e Argjentinës: “Mini cunami” 9 metra i lartë përfshiu pushuesit, ka viktima (VIDEO)
Një skenë dramatike është regjistruar në plazhin e qytetit bregdetar Santa Clara del Mar në Argjentinë, ku një valë e fuqishme dhe e papritur shkaktoi panik mes pushuesve, duke lënë të paktën një viktimë dhe dhjetëra të lënduar.
Pamjet tronditëse që u publikuan pasditen e djeshme në rrjetet sociale tregojnë njerëz që përpiqen me dëshpërim të largohen nga uji, ndërsa në sfond dëgjohet sinjali paralajmërues për rrezik. Edhe pse vala gjigante nuk shihet qartë në video, dëshmitarët për mediat lokale deklarojnë se ajo arriti lartësi deri në nëntë metra.
Sipas informacioneve zyrtare, një 29-vjeçar që ndodhej në Argjentinë për të vizituar familjen humbi jetën tragjikisht pasi u rrëmbye nga dallgët dhe goditi kokën në shkëmbinj. Pas qetësimit të detit, ekipet e shpëtimit tentuan ta reanimonin, por pa sukses.
Një person tjetër pësoi infarkt pasi u tërhoq nga dallgët në det, ndërsa të paktën 35 persona u plagosën, disa prej tyre me lëndime serioze.
Ekspertët dyshojnë se bëhet fjalë për një fenomen të rrallë të quajtur “meteotsunami”, ku deti fillimisht tërhiqet papritur, për t’u rikthyer më pas me dallgë shumë të fuqishme. Ky fenomen shkaktohet nga ndryshime të menjëhershme të presionit atmosferik dhe erëra të forta, jo nga tërmete.
“Është një ngjarje e paparashikueshme dhe nuk mund të themi me siguri nëse mund të përsëritet,” deklaroi Fabian Garcia, drejtues i Mbrojtjes Civile në provincën Buenos Aires.
Kreu i sindikatës së shpëtimtarëve, Nahuel Nardone, tha se dallgët arritën “lartësi të paimagjinueshme”, duke goditur njerëz që po pushonin, merrnin rreze dielli apo laheshin në det. Ai theksoi se ky fenomen është jashtëzakonisht i rrallë për rajonin dhe mund të konsiderohet si një “mini cunami” i shkaktuar nga kushtet ekstreme të motit.
Pushuesit treguan për skena kaosi, ku uji mori me vete çadra, çanta dhe shezlongë, ndërsa njerëzit ndihmonin njëri-tjetrin për të mos u tërhequr në det. Disa dëshmitarë thanë se vetëm pak çaste para goditjes, deti u tërhoq papritur dhe më pas u shfaq një valë “si mur” që u përplas me forcë në breg.
Autoritetet urdhëruan evakuim parandalues të të gjitha plazheve në zonë, përfshirë Mar Chiquita, Santa Clara del Mar dhe Mar del Plata, ndërsa ekipet e emergjencës po monitorojnë gjendjen e të lënduarve në qendrat shëndetësore.
Edhe pse ekspertët vlerësojnë se bëhet fjalë për një episod të izoluar, raste të ngjashme të rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit janë raportuar edhe në Mar del Plata, ku shpëtimtarët ndërhynë urgjentisht pasi uji u rrit nga mesi deri në qafë brenda pak sekondash.