Armëpushim i brishtë mes Iranit dhe SHBA – çfarë do të sjellin negociatat në Islamabad?
Retorika e ashpër vazhdon nga ana e SHBA-së. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se nëse Irani nuk i përmbush marrëveshjet, luftimet mund të rikthehen edhe më të forta se më parë. Ndërkohë, negociatori kryesor amerikan, nënpresidenti JD Vance, akuzon Iranin se po manipulon me propozimin për paqe duke paraqitur çështje që nuk ekzistojnë. 
Ai madje ironizoi se propozimi fillestar me 10 pika “duket sikur është shkruar nga ChatGPT” dhe tha se Irani duhet të bëjë hapin e radhës, përndryshe SHBA ka shumë opsione për t’u rikthyer në luftë. 
Nga ana tjetër, edhe Irani po tregohet i kujdesshëm para bisedimeve. Ambasadori iranian në OKB deklaroi se forcat e armatosura janë në gatishmëri për çdo skenar, por megjithatë do të marrin pjesë në negociata për të testuar seriozitetin e palës tjetër. 
Armëpushimi i brishtë vazhdon tashmë ditën e dytë, por situata mbetet e tensionuar, sidomos pas sulmeve të rënda izraelite në Bejrut, ku kanë humbur jetën mbi 250 persona. Këto sulme kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare dhe akuza për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. 
Ndërkohë, tregjet globale janë ndikuar menjëherë: çmimi i naftës është rritur sërish, duke kaluar nga 92 në 97 dollarë për fuçi. 
Një nga çështjet më të rëndësishme mbetet ngushtica e Hormuzit. Edhe pse Irani është zotuar ta hapë, ende nuk lejon lundrim të lirë si reagim ndaj sulmeve në Liban. Ekspertët thonë se kjo do të jetë një nga temat kryesore në negociata, pasi Irani ka kontroll të plotë mbi këtë rrugë kyçe të naftës botërore. 
Sipas analistëve, nëse Irani arrin të sigurojë një status të veçantë mbi këtë ngushticë përmes marrëveshjes, do të ishte një fitore e madhe për të në të ardhmen, por një goditje për ligjin ndërkombëtar detar dhe ekonominë globale.