Një shtetas shqiptar, 20 vjeç, është plagosur mbrëmjen e së shtunës nga Karabinierët italianë në provincën e Pizës, raportojnë mediat italiane. Ngjarja ka ndodhur gjatë një kontrolli policor, kur i riu dyshohet se ka tentuar të largohej me automjet.
Sipas informacioneve zyrtare, gjatë tentativës për arratisje ai është qëlluar me armë zjarri nga forcat e rendit, duke u goditur nga dy plumba. I plagosuri është transportuar menjëherë në spital për trajtim mjekësor.
Autoritetet italiane bëjnë të ditur se gjendja shëndetësore e tij nuk paraqitet e rëndë dhe se ai ndodhet
jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja lidhet me një rast shantazhi, pas një thirrjeje emergjente nga një grua, e cila ka kërkuar ndihmën e policisë duke deklaruar se djali i saj i mitur po shantazhohej. Sipas raportimeve, të dyshuarit i kishin marrë telefonin celular të miturit dhe i kishin kërkuar shumën prej një mijë eurosh për t’ia kthyer.
Me mbërritjen e patrullës së Karabinierëve në vendngjarje, një nga të dyshuarit dyshohet se ka përplasur me automjet një efektiv policie dhe më pas është larguar me shpejtësi të madhe. Në këto rrethana, forcat e rendit kanë ndërhyrë me armë zjarri.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim, ndërsa autoritetet italiane po shqyrtojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes.