Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, ka deklaruar se nuk pritet të ketë rritje të theksuar të çmimeve të produkteve ushqimore në prag të festave të fundvitit. Në emisionin Click Plus, ai theksoi se gjendja e çmimeve në baza vjetore është stabile dhe se institucionet do të reagojnë nëse tregtarët tentojnë rritje të pajustifikuara.
“Sa i përket artikujve ushqimorë në baza vjetore, gjendja është stabile. Ekziston një perceptim i qytetarëve se çmimet janë shtrenjtuar dhe kjo lidhet me disa faktorë,” u shpreh Durmishi.
Duke komentuar reagimet për rritjen e ndjeshme të çmimit të vezëve, ministri sqaroi se kjo lidhet kryesisht me shtrenjtimin e lëndëve ushqyese për blegtori, si misri dhe soja, çmime të cilat përcaktohen në bursat ndërkombëtare dhe nuk varen nga politikat vendore. Ai shtoi se mungesa e mbështetjes për prodhuesit vendorë nga qeveria e kaluar ka ndikuar në këtë situatë.
“Në rastin e vezëve, çmimi lidhet drejtpërdrejt me sojën dhe misrin, të cilat tregtohen në bursat ndërkombëtare dhe ne nuk mund të ndikojmë drejtpërdrejt në to. Për këtë arsye po përballemi me pasojat aktuale,” tha Durmishi, duke theksuar se Ministria e Bujqësisë ka nisur tashmë fushata për përkrahjen e fermerëve vendorë.
video –
Ai bëri të ditur se nga 1 janari do të fillojë zbatimi i Ligjit për përkrahje financiare të investitorëve, i cili do të ofrojë mbështetje për prodhuesit vendorë që synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe investime në teknologji. Sipas tij, kjo masë pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e prodhimit vendor dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Sa i përket punësimit në sektorin publik, Durmishi njoftoi se deri më tani janë realizuar mbi 2.500 punësime në institucionet shtetërore, si dhe mbi 800 avancime në pozita më të larta.