Të paktën 37 viktima nga përmbytjet në rajonin bregdetar Safi të Marokut
Të paktën 37 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve të rënda që goditën rajonin bregdetar Safi në Marok, pas reshjeve të dendura të shiut që ranë të dielën.
video –
Sipas autoriteteve lokale, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të mëdha në qytet, duke lënë pas grumbuj mbeturinash, automjete të përmbytura dhe dëme të konsiderueshme infrastrukturore. Zona të tëra, përfshirë qendrën e vjetër të qytetit, u përfshinë nga uji, ndërsa të paktën 70 banesa u përmbytën.
Dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitale për shkak të lëndimeve të marra gjatë përmbytjeve. Ndërkohë, raportet nga mediat lokale bëjnë të ditur se daljet kryesore nga qyteti janë bllokuar pjesërisht ose plotësisht për shkak të dëmeve në rrugë dhe grumbullimit të mbeturinave.
Autoritetet janë duke vijuar operacionet e shpëtimit dhe pastrimit, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për rikthimin e qarkullimit dhe vlerësimin e plotë të dëmeve materiale.