Parlamenti i Turqi ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç. Sipas vendimit, personat nën 15 vjeç nuk do të mund të hapin profile në rrjetet sociale, ndërsa platformat digjitale do të detyrohen të zbatojnë sisteme për verifikimin e moshës. Gjithashtu, rrjetet sociale do të duhet të ofrojnë mjete të qarta, të kuptueshme dhe të thjeshta për kontroll prindëror.
Ky hap i Turqisë vjen në një kohë kur në gjithë Evropën po intensifikohet debati për mbrojtjen e të rinjve në hapësirën digjitale. Presidenti francez Emmanuel Macron ka nisur tashmë një iniciativë për vendosjen e një “dite pa internet” çdo muaj, duke inkurajuar të rinjtë t’i rikthehen sportit, leximit dhe asaj që ai e quan vitalitet i jetës reale. Këto thirrje janë hyrje për një takim më të gjerë koordinues evropian, ku do të shqyrtohen kufizime të ngjashme në nivel kontinental.
Nisma po merr mbështetje të fortë edhe në nivelin më të lartë të Bashkimit Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar tashmë konsultime me liderët e dymbëdhjetë vendeve anëtare, përfshirë Gjermani, Itali dhe Spanjë, për vendosjen e standardeve të përbashkëta që kufizojnë qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale. Është e qartë se presioni politik po rritet dhe fokusi po zhvendoset nga përgjegjësia individuale e prindërve drejt rregullimit ligjor të kompanive teknologjike.