Rritja e çmimeve: Shqiptarët konsumojnë më shumë bukë sesa produkte të tjera

news
Advertisement

Për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, familjet shqiptare kanë rritur konsumin për bukën dhe mishin e pulës, ndërsa është ulur përdorimi i mishit, sallamit, vajit dhe bulmetit. Kompanitë pohojnë se rënia e konsumit ka arritur deri në 40% krahasuar me vjet. Edhe në bare dhe restorante këtë vit po konsumohet më pak.
Bizneset kërkojnë ulje të taksave, pasi tkurrja e konsumit parashikohet të japë efekte në falimentime dhe shkurtime të vendeve të punës.

Advertisement

Në këtë periudhë konsumi ka shënuar rënie për produktet e shportës që varion nga 15 deri në 40% më pak krahasuar me vjet, transmeton abcnews, përcjell Albinfo.ch.
Kompanitë kryesore të prodhimit dhe importit në vend pohojnë se arsyet kryesore të tkurrjes së konsumit janë rritja e çmimeve nga shtrenjtimi i kostove dhe emigracioni masiv i popullsisë, kryesisht të rinjve.
Në qershor, inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve të një shporte mallrash të caktuar, arriti në 7.4%, niveli më i lartë në 20 vjet, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i produkteve ushqimore dhe karburanteve.

Për shkak të shtrenjtimit të çmimeve, tendenca e konsumit është me rënie për produktet e mishit, bulmetit, vajit të lulediellit, birrës dhe pijeve freskuese, ndërsa është rritur konsumi i bukës.
Në bare dhe restorantet e Tiranës e bregdetit të Jugut, operatorët thonë se konsumi ka rënë 30 deri në 40% nga rritja e çmimeve.
Shqetësimi më i mprehtë për strukturat e shërbimit është mungesa e madhe e fuqisë punëtore dhe emigracioni i të rinjve që ka shtuar kostot e shërbimit.

Çmimet e katër artikujve ushqimorë prej fillimit të muajit prill kontrollohen nga Bordi i Transparencës. Operatorët e tregut pohojnë se mbajtja në kontroll e çmimeve nuk ka ndikuar te rritja e ekonomisë së shkallës (konsumit), por te shtimi i marzheve të fitimit, pasi ka nxitur dyqanet e vogla të produkteve ushqimore për të shtrenjtuar çmimet e produkteve të tjera.
Në anën tjetër, prodhuesit, përveç shtimit të kostove nga shtrenjtimi i lëndëve të para, për shkak të tendencës globale, vuajnë konkurrueshmërinë e produkteve të rajonit, pasi paguajnë më tepër taksa.

Përpunuesit e mishit ngrenë shqetësimin se taksa e lëndës së parë përpunuese dhe TVSH-ja e shtrenjton 40% më shumë prodhimin e tyre sesa Maqedonia e Veriut. Përfaqësues të industrisë i bëjnë thirrje qeverisë të heqë taksën 12% të përpunimit të lëndës së parë dhe TVSH-në e naftës te bizneset.
Kostot nga taksat dhe çmimet e lëndëve të para janë shtrenjtuar edhe për përpunuesit e qumështit pas heqjes së TVSH-së 6% të kreditueshme nga 1 janari 2022.
Përfaqësuesit e këtyre industrive njëzëri kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me uljen e TVSH-së për produktet e shportës, në ndihmë të konsumatorit.

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *