Shfaqën hartën e Kosovës me flamurin e tyre në Kupën e Botës, FFK padit Serbinë në FIFA

news
Advertisement

Mbrëmjen e të enjtes, Kombëtarja e Serbisë u përballë me Brazilin në Kupën e Botës, ku dhe u mund me rezultatin 2-0. Mirëpo, përveç ndeshjes, serbët nuk nguruan të shpalosnin idetë e tyre mbi Republikën e Kosovës.

Advertisement

Në dhomat e zhveshjës së ekipit serb u shfaq një banderolë me hartën e Kosovës, sipër së cilës ishte vendosur flaumri i tyre dhe një shkrim “Nuk ka dorëzim”.

Megjithatë, reagimi i Federatës Futbollit të Kosovës (FFK) ka qenë i menjëhershëm duke paraqitur një ankesë zyrtare në organin më të lartë drejtues të futbollit në botë, FIFA.

Nga FFK veprimi i Serbisë është parë si “agresiv” dhe ngjarja është e pavend për një ndeshje futbollit, sidomos kur bëhet në një kompeticion si Kupa e Botës.

“Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, thuhet në njoftimin e federatës.

“Futbolli si sporti më i popullarizuar në botë përçon vlera bashkimi dhe assesi përçarjeje, ndërsa ky akt agresiv nuk përkon me vlerat e tilla, prandaj edhe duhet të ndëshkohet”.

“Derisa Evropa e bota po ballafaqohen me një krizë të madhe si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, një kompeticion kaq madhështor siç është Kampionati botëror, duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejte mes popujve”.

“Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit”.

“Mirëpo, është e papranueshme që ky akt të kalojë në heshtje, prandaj kërkojmë fuqishëm që FIFA të zbatojë në përpikëri rregullat e saj dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli”, përfundon deklarata.
UEFA, në një përgjigje për Albanian Post, kanë deklaruar se nuk është brenda juridiksionit të tyre të komentojnë zhvillimin.

“Kupa e Botës bie nën rregullacionet e FIFA-s. Prandaj, ne sugjerojmë që për këtë çështje të kontaktohet FIFA”, thuhet në përgjigje për AP.

Albanian Post ka provuar të kontaktojë edhe me FIFA-n, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pasur një përgjigje. /Albanianpost.com

Advertisement

Leave a Reply

Your email address will not be published.