SKANDAL – Dhunoi partneren, derisa abortoi, shiko historin e plotë (VIDEO)

News

Pas transmetimit të rastit në emisionin investigativ “Stop”, autoritetet kanë arrestuar në Serbi Klejvis Metallën, i cili ishte në kërkim prej disa muajsh për dhunë të rëndë ndaj partneres së tij shtatzënë, dhunë që solli humbjen e jetës së foshnjës që ajo mbante në bark.

24-vjeçari ishte larguar nga Shqipëria pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në janar 2025, duke kaluar përmes Pikës Kufitare të Bllatës. Ai u vu në pranga në shtetin fqinj Serbi dhe pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.

Në muajin mars 2025, Gjykata e Dibrës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ngjarja u denoncua publikisht nga emisioni “Stop” më 4 shkurt 2025. Sipas raportimeve, 23-vjeçarja, e dhunuar rëndë dhe e braktisur nga partneri, u paraqit së bashku me nënën e saj në Spitalin e Peshkopisë, ku mjekët njoftuan menjëherë Policinë e Shtetit. Pas marrjes së denoncimit, Metalla u shpall në kërkim, por rezultoi se kishte dalë tashmë jashtë vendit.

Sipas mjekut gjinekolog që ka ndjekur rastin, aborti ka ardhur si pasojë direkte e dhunës fizike, ndërsa ndërhyrja mjekësore ishte e domosdoshme për të shpëtuar jetën e të resë.

Emisioni “Stop” ka marrë edhe versionin e të dyshuarit, i cili fillimisht shmangu përgjegjësinë dhe më pas pretendoi se vajza ishte përdoruese e lëndëve narkotike. Megjithatë, ai pranoi se atë pasdite e kishte marrë me automjetin e tij vajzën dhe vëllain e saj, duke i dërguar deri në zonën e njohur si “Gurët e Skënderbeut”.

Gjithashtu, sipas dokumentimit të rastit, ekzistojnë mesazhe të dërguara nga Klejvis Metalla, ku ai u kërkon familjarëve të vajzës që ajo të ndërpresë shtatzëninë, elemente që rëndojnë më tej pozitën e tij ligjore.

Rasti mbetet në ndjekje nga autoritetet shqiptare, ndërsa pritet ekstradimi i të arrestuarit për t’u përballur me drejtësinë në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *