U bëhet apel pasagjerëve të ndjekin përditësimet e fluturimeve, njofton TAV Maqedonia
TAV Maqedonia informon se Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është i hapur dhe funksionon, pavarësisht anulimeve dhe ridrejtimit të disa fluturimeve për shkak të mjegullës dhe dukshmërisë së ulët.
Nga kompania sqarojnë se aeroporti nuk ka qenë i mbyllur, duke i demantuar spekulimet që u shfaqën në disa media. Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit sot, më 20 dhjetor, nga ora 00:00 deri në 18:00, janë anuluar 16 fluturime, ndërsa 11 janë ridrejtuar.
“Pas përmirësimit të kushteve të motit pasdite, kanë aterruar tre aeroplanë – nga Dortmundi, Stambolli dhe Parisi, ndërsa tre të tjerë janë nisur drejt Stambollit, Oslos dhe Baden-Badenit”, njoftojnë nga TAV Maqedonia.
Sipas parashikimeve të Shërbimit Meteorologjik të M-NAV, dukshmëri e ulët pritet edhe gjatë natës.
“Meqenëse kushtet e motit ndryshojnë vazhdimisht, u bëjmë apel pasagjerëve që rregullisht të ndjekin informacionet dhe udhëzimet për fluturimet e tyre që i marrin nga kompanitë ajrore. Për publikun theksojmë se Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është vazhdimisht i hapur, pavarësisht kushteve të motit, ndërsa stafi ynë është i gatshëm të pranojë, shërbejë dhe përcjellë si aeroplanët ashtu edhe pasagjerët”, thuhet në njoftim.
Nga TAV Maqedonia u rekomandojnë pasagjerëve që për informacione sa më të sakta dhe në kohë të përdorin faqen zyrtare të internetit dhe linjat telefonike të Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.