Procesi i numërimit të fletëvotimeve të mërgatës që kanë votuar fizikisht nëpër përfaqësitë diplomatike të Kosovës po shkon drejt finales.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare të përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë të premte në orën 17:35, tashmë janë procesuar 26 nga 47 vendvotime në total, që përbën 55.32% të numrit të përgjithshëm të tyre.
Nga rezultatet e përmbledhura të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq në mënyrë dërrmuese duke siguruar 83.14% ose 10,798 vota të diasporës nëpër ambasada e konsullata.
E renditur e dyta është Partia Demokratike e Kosovës me 7.32% ose 950 vota, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 6.67% ose 866 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbledhur deri tani 1.99% ose 258 vota, Kosova Demokratik Türk Partisi ka marrë 0.29% ose 38 vota, ndërsa Partia Socialdemokrate radhitet e fundit në këtë listë me 0.16% apo 21 vota.