Tragjedi në Ulqin/ 46-vjeçari nga Kosova dyshohet se vrau partneren nga Shqipëria dhe më pas dogji shtëpinë
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Ulqinin gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës, ku një 46-vjeçar nga Kosova dyshohet se ka vrarë partneren e tij, shtetase shqiptare, dhe më pas i ka vënë flakën shtëpisë ku bashkëjetonin.
Sipas policisë malazeze, i dyshuari është Bashkim Gashi, i cili pas incidentit ka pësuar djegie nga zjarri dhe është dërguar fillimisht në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar, e më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë, ku po mbahet nën mbikëqyrje policore.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Kodre në Ulqin. Policia është njoftuar rreth orës 00:30 për një zjarr që kishte shpërthyer në një shtëpi banimi. Menjëherë pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, efektivët gjetën trupin e pajetë të një gruaje, e identifikuar më vonë si D.N. (36), shtetase e Shqipërisë.
Sipas autoriteteve, hetimet paraprake tregojnë dyshime se 46-vjeçari fillimisht ka kryer vrasjen e partneres së tij dhe më pas ka shkaktuar zjarrin në banesë, duke tentuar të zhdukë gjurmët e krimit.
Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe prova të shumta materiale, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar hetuesit policorë, prokurorja kompetente dhe eksperti për zjarrfikje dhe shpërthime.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Podgoricë, ku pritet të përcaktohen shkaqet e sakta të vdekjes dhe rrethanat e plota të tragjedisë.
Autoritetet malazeze kanë nisur hetime intensive për zbardhjen e plotë të rastit që ka tronditur opinionin publik në rajon.