Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush
Haradinaj, është nominuar të premten nga Këshilli i
Përgjithshëm i partisë kandidat për kryeministër dhe
bartës i listës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të
28 dhjetorit. Në të njëjtën mbledhje, Këshilli ka miratuar
edhe listën me 110 kandidatë për deputetë.
AAK-ja ka bërë publik edhe sloganin e fushatës për këto
zgjedhje, “Krah Teje”, si dhe “ka miratuar programin
zgjedhor të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore:
qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi
ekonomik, dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik”.
Haradinaj ka deklaruar se kombinimi i lidershipit të
guximshëm e vizionar të Aleancës, lista e gjerë përfaqësuese
dhe programi i qartë i zhvillimit ekonomik, përbëjnë
themelet e ofertës që AAK-ja i paraqet qytetarëve në
zgjedhjet parlamentare.
Në programin ekonomik, Aleanca parasheh rritje ekonomike
vjetore prej 7%, si dhe rritje të GDP-së nga 12 në 14
miliardë euro brenda mandatit katërvjeçar. Po ashtu,
buxheti i shtetit synohet të rritet nga 3.3 miliardë euro në
vitin 2025, në 4 miliardë euro në vitin 2026, për të arritur në
6.1 miliardë euro në fund të mandatit.
Sipas Haradinajt, kjo politikë buxhetore garanton stabilitet
financiar dhe krijon hapësirë që pagat dhe pensionet të
rriten që në vitin 2026 me 31%, duke arritur një pagë
mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh,
varësisht nga kategoritë. Ai ka bërë të ditur se pagat dhe
pensionet do të harmonizohen çdo vit me zhvillimin
ekonomik dhe inflacionin.
Një rritje të theksuar e parashikon edhe në kategorinë e
investimeve kapitale, “e cila do të shënojë rritje prej 61% në
vitin e parë të mandatit dhe do të arrijë në 240% deri në
vitin 2029”.
Haradinaj ka theksuar se AAK-ja hyn në zgjedhje me
qëllimin e rikthimit të normalitetit në vend, forcimit të
zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, avancimit drejt
anëtarësimit në NATO dhe BE, si dhe rikthimit të
partneritetit strategjik me aleatët perëndimorë, të prirë nga
Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Krah Teje për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e
mbara!”, ka përmbyllur Haradinaj